VOX

Kush i dilte para, e zhdukte!

Shfaqja e “vozhdit” serb ishte një episod negativ i së kaluarës në Serbi dhe Ballkan. Vdekja e tij nuk e pengon,  por e lehtëson zgjidhjen e statusit të Kosovës.  

0 35

Kështu e kujtonte Kasapin e Ballkanit, Sllobodan Millosheviq 13 vite më parë, Hisen Ramadani, ish-anëtar i Komitetit Qendror të Lëvizjes Komuniste të Jugosllavisë.

Intervistë e realizuar më 11.03.2006 nga Krenar SADIKU

Hisen Ramadani, njëri nga politikanët me përvojë më të gjatë të politikanit nga e kaluara, në kohën kur Sllobodan Millosheviqi paraqitej në skenë dhe kishte ngritje marramendëse, ishte anëtar i KQ të LKJ-së. Pikërisht në këtë forum politik ishin zhvilluar debatet më të zjarrta pro dhe kundër Millosheviqit. Ramadani kujton atë periudhë, ngase për së afërmi ka pasë rast të përcjellë veprimet e Sllobodan Milloshqeviqit.

-Si e mbani mend Millosheviqin. Si  lindi fenomeni i tij në skenën e atëhershme politike?

-Në vitet e 80-ta, Millosheviqi prezantohej si pjesë e nacionalizmit radikal serb, veçanërisht kur bëhej luftë për kryetar të komisionit qendror të Partisë Komuniste në Serbi, ku u imponua me tema nacionaliste, me arsye që të vihet në krye të këtij komisioni. Por duke pas parasysh faktin se, përveç fuqisë imponuese të Millosheviqit, në baza të insistimit të prioritetit të shtetit serb, ai në politikë u paraqit në moment kur kishte krijuar një masë kritike të nacionalizmit serb në përgjithësi dhe bindje se Serbia duhet të sigurojë pozitë të privilegjuar në Jugosllavi, kurse pozitat e krahinave të atëhershme autonome sipas këtij nacionalizmi e kishte dëmtuar interesin nacional serb në tërësi.

-Nuk  kishte atëherë forcë që mund ta rezistonte ngritjen e tij?

-Pozita e një absoluti apo një qeveritari diktatorial, ishte pasojë e një lëvizje më të gjerë nacionaliste serbe, që kishte filluar para paraqitjes së Millosheviqit në skenën politike të Serbisë. Kjo vërtetohet edhe me qëndrimet e shkrimtarit serb Dobrica Qosiqit dhe me deklaratën e Akademisë së Shkencave serbe të viteve 80-ta. Përveç nacionalizmit ekstrem, Millosheviqi si personalitet posedonte edhe dy veti tjera negative. Sipas mendimit tim ai posedonte një veti, mizantropinë, e cila shprehej edhe në aspektin individual, për njerëzit që fare nuk i duronte afër por edhe si një vërejtje ndaj të gjithë popujve joserbë e veçanërisht të atyre që sipas tij e dëmtonin interesin serb. Kështu u pa haptas se ai u vu në luftë me të gjithë popujt që e përbënin Jugosllavinë e  atëhershme duke iu kundërvu me luftë por edhe me zhdukje, me metoda gjenocidi.

Vetia tjetër negative e Millosheviqit, ishte se etja  dhe ambiciet e tija për pushtet ishin mbi të gjitha. Në shumë raste ai vërtetoi se, sa i përket luftës për pushtetin absolut personal, ai nuk kursente as miqtë, bashkëpunëtorët por as edhe farefisin e tij. Këtë e vërtetoi me zhdukjen fizike të bashkëpunëtorit të tij, Ivan Stanboliqit, të cilin e kishte pas edhe mentor. Stanboliqi për çudi nuk i kishte të qarta vetitë mizantropike dhe diktatoriale të Millosheviqit. Sa më shumë që kontribuoi në ngritjen e personalitetit të Millosheviqit, shumë më keq e pësoi.

Ekzistonin edhe elemente rezistuese ndaj ngritjes së Millosheviqit në skenën politike, ndër ta ishte edhe xhaxhai i gruas së tij, Drazhe Markoviqi, por kjo orvatje ishte e vonuara dhe nuk mund ta pengonte depërtimin e hovshëm në skenën politike që e bëri Millosheviqi, në gjysmën e dytë të viteve 80-ta.

-Si do të mund të reflektohet vdekja e Millosheviqit në politikën në Serbi dhe a do të ndikojë në finalizimin e statusit të Kosovës?

-Unë mendoj se ndodhi spektakulare nuk duhet pritur. Vdekja e tij nuk mund të shkaktojë lëvizje politike relevante në Serbi e më gjërë. Periudha e qeverisjes së Millosheviqit dhe e angazhimit të tij në sferën politike duhet vlerësuar si një tronditje gjithëserbe e gjithërajonale, e cila pothuajse dhjetë vite i takon së kaluarës. I tërë regjioni, duke përfshirë këtu edhe pjesën më të madhe të popullatës në Serbi, u bindën se Millosheviqi ka qenë një episod negativ në Serbi dhe Ballkan. Historia e Serbisë nuk njeh lider tjetër që ka filluar aq shumë lufta, por edhe i ka humbur të gjitha. Millosheviqi është një ndër fatkeqësitë më të mëdha që i ka ndodhur popullit serb, popullit ballkanas e sidomos popullatës shqiptare në Kosovë.

Pasoja e vetme negative e vdekjes së Millosheviqit është ajo se nuk u përfundua gjykimi i tij, nuk u shpallën qindra krimet e bëra me iniciativën dhe angazhimin e tij, dhe ajo që nuk u bë i qartë fakti se faji nuk ishte vetëm personal,  mund të ndahej edhe me ata që e përmbanin veprën e tij. Mund të thuhet që vdekja e Millosheviqit është një lehtësim për popullin serb, për krimet e bëra në vendet e ish-Jugosllavisë, veçanërisht në Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë. Vdekja e Millosheviqit është mbyllje e një historie dhe një faji të dhimbshëm por edhe largim i një barre të rëndë, që rëndon në ndërgjegjen e klasës politike dhe intelektuale serbe.

Vdekja e Millosheviqit nuk mund të ketë ndikim relevant në bisedimet që po zhvillohen për përfundimin e statusin final të Kosovës. Ndoshta për disa fuqi ekstreme serbe, do të ndikojë edhe në mënyrë ca relaksuese fakti që vdiq episkopi i robërimit të popullit të Kosovës dhe gjakësori që donte me gjenocidin e një populli të realizojë përfitimet për popullin e vetë. Mendoj se vdekja e Millosheviqit nuk e pengon por e lehtëson zgjidhjen e statusit të Kosovës.

POWERED BY BANER 700 x 100