VOX

REKRUTIMI I “ANALISTËVE” INFANTIL

Pati edhe shumë të tillë që vullnetarisht iu dorëzuan sistemit të kontrollit partiak, sepse vuanin nga sëmundja e të qenit “i pari në katund”. Një mediokritet i tillë ishte e pamundur të prodhonte kreativitet dhe objektivitet në qasjen kritike ndaj vërshimit të dukurive që e përafronin njeriun tonë pranë gjendjes së zombit.

0 170

Shkëlzen Halimi

Sistemet e kontrollit nuk “prodhonin” individë të sinqertë, me ideale, individë që do ta kuptojnë të vërtetën. Këtyre sistemeve u nevojiteshin individë të besueshëm, që s’mendonin, por që nuhasnin dhe përgjonin. Pikërisht këta, ditë e natë, do t’i raportonin shefave të vegjël dhe këta atyre të mëdhenjve, të cilët, pa u hetuar nga të përgjumurit, e shtrinin kontrollin gjithandej ku gjenin hapësirë, në veçanti në institucionet ku figuronte prezenca e shqiptarit. Nuhatësit dhe përgjuesit do t’i denoncojnë “tradhtarët” e idealit të partisë, përkatësisht ata që nuk përfillnin “mendimin” unik të partisë dhe kjo formë veprimi jo vetëm që do ta polarizojë shoqërinë shqiptare, por do t’i atakojë segmentet më vitale që i japin përmbajtje identitetit të shqiptarëve: kulturën dhe arsimin.


Sistemi i kontrollit, me energjinë e padiskutueshme të manipulimit, lehtë do t’i fitojë betejat me “kundërshtarët” e partisë, duke injektuar mjete financiare në tregun e shit-blerjes së mediumeve, lakmitarëve që vinin nga oponenca, strukturave universitare, të ashtuquajturve gazetarë e kështu me radhë, por edhe duke rekrutuar “analistë” infantilë dhe të bezdisshëm, të cilët nuk posedonin as kapacitete minimale për “rolin” që do ta marrin. Analistomania u bë një trend qesharak, që plotësonte hapësirat boshe të mediumeve, por njëkohësisht duke prodhuar edhe situata komike-tragjike, sepse shumica prej tyre nuk e kuptonin se ishin shndërruar në palaço që vinin nga oborret partiake, krejt kjo vetëm për ndonjë “asht” që ndante partia për ta ruajtur atë më të shenjtën, pushtetin.
Pati edhe shumë të tillë që vullnetarisht iu dorëzuan sistemit të kontrollit partiak, sepse vuanin nga sëmundja e të qenit “i pari në katund”. Një mediokritet i tillë ishte e pamundur të prodhonte kreativitet dhe objektivitet në qasjen kritike ndaj vërshimit të dukurive që e përafronin njeriun tonë pranë gjendjes së zombit. Kjo, siç do të tregojë koha, do të mundësojë që elitat politike të shtrijnë kontrollin edhe atje ku shpresohej se ekzistojnë vatrat e rezistencës. Mendimi, përvoja dhe dëshira ishin ngërthyer në fjalën e fundit që ishte rezervuar për atë, për prijësin. Ndërkaq, në rrafshin e idealit, shoqëria shqiptare, e cila ishte thyer në çdo pikëpamje, ende nuk ishte regjistruar as në kopshtin e fëmijëve.

POWERED BY BANER 700 x 100