VOX

BDI e përçarë për Erolld Musliun?!

Deputeti Artan Grubi thotë se Musliu është zgjedhur në pajtim dhe me aminin e BDI-së, kurse Bujar Osmani e quan shqetësues emërimin e Musliut në krye të Agjencisë për Zbulim nga presidenti Stevo Pendarovski

0 95

Zv. Kryeministri i Maqedonisë së Veriut dhe funksionari i lartë i Bashkimit Demokratik për Integrim Bujar Osmani, ka shprehur shqetësimet e tija në lidhje me emërimin e Erolld Musliut në krye të Agjencisë për Zbulim. Osmani ka deklaruar se vendimi i djeshëm i presidentit Pendarovski është shqetësues për të gjithë.

“Vendimi i djeshëm i presidentit na ka shqetësuar të gjithëve. Mendojmë se ka qenë një vendim që është marrë nga mungesa e informacionit”, ka deklaruar Osmani.

Osmani ka shtuar se deri sa të zbardhet në tërësi rasti i Kumanovës, personat e përfshirë nuk mund të marrin poste kyçe në institucione. Ai shpreson që presidenti të rishikojë përzgjedhjen e Musliut të cilën beson se nuk e ka bërë me qëllime të tjera.

Ndryshe nga Osmani, deputeti i këtij subjekti Artan Grubi, vetëm një ditë më parë deklaroi se Musliu është emër i zgjedhur pas konsultave të presidentit Pendarovski me kreun e BDI-së Ali Ahmeti.

“Zotëri Ahmeti ka pasur takim me zotëri Pendarovskin dy ditë më parë dhe i kanë diskutuar të gjitha çështjet përfshirë edhe ato kadrovike dhe besoj që ka qenë shumë takim i frytshëm dhe në atë takim është biseduar edhe për këtë çështje”, është shprehur Grubi, pa precizuar nëse janë pro ose kundër Erold Musliut.

BDI pati reaguar edhe më parë kur emri i Musliut është propozuar për kreun e AZ-së. Në vitin 2011 pati reaguar zëshëm kundër emërimit potencial të Erold Musliut në krye të Agjencisë së Zbulimit, me arsyetimin se Musliu është person me një të kaluar të dyshimtë dhe që i njejti, sipas BDI-së ka marë pjesë në falsifikim të dosieve apo prodhimin e dokumenteve false.

Burime të larta në BDI-së sot për ALSAT-M deklaruan se me gjitha forcat do të kundërshtojnë qëllimin eventual të presidentit që në krye të Agjencisë së zbulimit të vendos Erold Musliun. Sipas partisë së Ahmetit në këtë post duhet të emërohet person që do të ketë kredibilitet e jo persona si Erold Musliu. “Drejtori aktual i Agjencisë për zbulim ka mandat edhe dy vite e gjysmë dhe as që ka procedurë për shkarkim të tij dhe emërimin e ndonjë personi tjetër. Nëse eventualisht vjen deri te ndërrimi i drejtorit të Agjencisë, as që mund të bëhet fjalë që drejtor i këtij institucioni të jetë Erold Musliu. Aty duhet të jetë dikush me kredibilitet e jo dikush që ka marr pjesë në falsifikimin e dosjeve apo prodhimin e dokumenteve false” shkruan në reagimin BDI-së të vitit 2011.

Erold Musliu, u diplomua nga Fakulteti i Sigurisë në Shkup si një nga studentët më të suksesshëm. Musliu u punësua menjëherë në vitin 1994 në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe gradualisht përparoi përmes shkallëve të hierarkisë si një profesionist jashtëzakonisht. Me themelimin e Agjencisë së Inteligjencës, ai kthehet për të punuar si një zbulues. Ai është një poliglot, flet shumë gjuhë, një intelektual midis profesionistëve të sigurisë dhe për të zyrtarët e lartë të shërbimeve miqësore të sigurisë kanë shprehur hapur opinionin publik se ai është mishërimi i formatit më të lartë të një profesionist të sigurisë dhe të inteligjencës.
Në vitin 2011, ai ishte një nga kandidatët e presidentit të mëparshëm të shtetit Gjorge Ivanov, për Drejtor në Agjencinë e Zbulimit.

 

POWERED BY BANER 700 x 100