VOX

Trimit që i’u harruan meritat

0 551

Katër vite kaluan nga tetori i kobshëm kur pas një lufte me një sëmundje të rëndë, ndërroi jetë Fatmir Fejzullahu-Mjaku. Edhe pas katër viteve, asnjë institucion shtetëror në Kosovë apo në Maqedoni, nuk u kujtua të zhvillojë të paktën një mbledhje komemorative për Fatmirin.

Për ata të cilët po mundohen të kujtohen kush ishte Fatmir Fejzullahu-Mjaku dhe pse duheshka ti bëhet nderi, Fatmiri ishte pjesëtarë i celulës së parë të asaj që sot e quajmë me krenari Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Krahë Zahir Pajazitit, Sali Çekajt dhe 49 trimave të tjerë, qe rreshtuar edhe Fatmiri nga Shkupi dhe në fillim të viteve të 90-ta, iu bashkua rrugëtimit të lavdishëm të historisë shqiptare.

Arsimdashës me zemër të një artisti, roker, atdhetarë dhe njeri familjarë, një kombinim ideal i një shqiptari të shekullit 21. Ashtu ishte Fatmiri, i cili në kuluare njihet si njeri dashamirë, fjalë shkurtër por edhe fjalë ëmbël.

Periudha para luftës së Kosovës, si dhe kushtet ekonomike, e shtynë Fatmirin të marë rrugën e kurbetit për të siguruar kafshatën për familje. Atje larg e zuri edhe fillimi i luftës edhe pse nuk mund të thuhet se e zuri të papërgatitur.

Fatmiri, bashkë me shumë të tjerë, ishte pjesë e batalionit ATLANTIKU, që përbëhej kryesisht nga djem dhe vasha që jetonin dhe punonin në SHBA të cilëve asnjëherë nuk u shua ndjenja atdhedashëse për Kosovën.

Periudha pasluftës Fatmirin e gjeti në vendin e tij, Shkup, ku pas shumë mundimeve, u punësua si arsimtarë.

Nuk e deshi pushtetin, as karrigen e butë si disa. Kontribuoi, u rebelua, kapi armën për atdhe dhe e la prapë pasi e arriti qëllimin me shokë.

Jetoi i qetë derisa sëmundja nuk e mundi, më 16 tetor të vitit 2015. La pas një familje të bukur, një grua zonjë dhe dy djem që trashëguan pamje dhe personalitet nga babai i tyre. La pas tij paqen për të cilën u sakrifikua, la rrethin e tij në duar të sigurta, la një shoqëri e cila luftën do ta kujtojë vetëm përmes tregimeve të të tjerëve dhe përmes librave të historisë.

Shkoi në amshim, por nuk u kujtua! Komemoracione për të nuk u organizuan. As fjalime të gjata nuk u shkruan. Meritat që i kishte më shumë se pesëqind të tjerë, shkuan në adresa të gabuara. U dekorua i madh e i vogël, meritorë por edhe asisoj që fjalën kontribut për Kosovën e kishte shkruar, dhe vet e kishte lexuar vetëm në një copë letre e nuk kishin bë asgjë më shumë. Ndërsa Jo baci Fatmir! Ai nuk u dekorua, por thjeshtë u harrua.

Prapëseprapë nuk u harrua nga të gjithë Fatmiri. Nuk u harrua nga disa të zëshëm të cilët dje, sot por edhe nesër, do ta pëshpëritim por edhe do ta ulërijmë emrin e tij sa herë që mundemi, që e ardhmja jonë mos ti mbuloje me llumin e të tashmes, emrat e të kaluarës sonë të lavdishme mes të cilëve edhe emrin Fatmir Fejzullahu – Mjaku, veteranit të Ushtrisë Çlirimtre të Kosovës, Batalioni ATLANTIKU.

 

 

 

POWERED BY BANER 700 x 100